Siç ndodh edhe me ushqime të tjera që kanë një afat përdorimi dhe cilësie, vaji i ullirit nuk bën përjashtim. Padyshim që edhe vaji arrin një pikë që e bën atë të papërdorshëm. Me kalimin e kohës, ajri, nxehtësia dhe drita kanë një ndikim të pakthyeshëm në cilësinë e produktit dhe në sigurinë e tij.
Pavarësisht të gjitha hapave që marrim për ta ruajtur sa më mirë, vaji i ullirit nuk do të zgjasë përjetësisht.
Zgjidhja më e mirë është gjithnjë vaji i freskët ekstra i virgjër, i pastër dhe natyral i ullirit. Por kjo nuk do të thotë që këto karakteristika do të garantojnë jetëgjatësinë e tij, sepse vaji i ullirit është një produkt natyral i pastër pa aditivë, që mund t’ia zgjasin jetën por dëmtojnë cilësinë.
Shumica e vajrave të ullirit janë të përdorshëm deri në dy vjet që nga data e paketimit.
Nëse keni disa shishe, mos i hapni të gjitha njëherësh, por një e nga një. Vajra të ndryshëm mund të kenë shije dhe aromë të ndryshme. Është e rëndësishme të mbani mend që kur shishja hapet, përmbajtja e saj do të ketë një jetëgjatësi më të shkurtër.
Ruajeni në vend të freskët
Mbajeni vajin e ullirit në një vend të freskët dhe të errët, larg zonave të gatimit dhe burimeve të nxehtësisë. Mos e fusni në frigorifer, por mbajeni në një dollap të ajrosur mirë që do të ndihmojë në zgjatjen e freskisë së vajit të ullirit.
Mbajeni shishen të mbyllur mirë
Shishet dekorative që mund të keni në shtëpi, ngjajnë shumë të bukura, por nëse e keni të pamundur të izoloni grykën e tyre që ta mbroni vajin e ullirit nga ambienti i jashtëm, atëherë shishja nuk bën punë. Ekspozimi i vajit në oksigjen do të përshpejtojë prishjen e vajit.
Mbajeni shishen larg dritës
Shumica e vajrave të ullirit janë të paketuara në shishe të errëta për një arsye të vetme. Ato filtrojnë shumicën e dritës që arrin të degradojë vajin e ullirit me kalimin e kohës. Një shishe qelqi me ngjyrë të errët është gjithashtu e rëndësishme për të siguruar jetëgjatësinë e produktit.

